Shkolla MB Iballë
Me inisiativën e Monsinjor Lazer Mjedës, në shtator të 1903, u hap shkolla e parë shqipe, për rrethin e Pukës, në Iballë.
Kjo arritje e madhe erdhi si rezultat i ndërmjetësimit të Monsinjorit me patriotët vendas, me Konsullatën Austro-Hungareze në Shkodër.
Mosinjor Lazer Mjeda së bashku me vëllain e tij Don Ndre Mjedën, dërguan mësues në Iballë zotin Kolë Rrok Zeza me origjinë nga Zezajt e Pukës. Nën kujesin e tyre, mësuesi u pajis me abetare dhe libra të tjerë shkollorë. Shkolla funksionoi normalisht deri në vitin 1907, vit në të cilin u mbyll për herë të parë.
Në vitin 1917-1918 u rihap nga zotni Kolë Bibë Miraka, i cili shfrytëzoi shtëpinë e tij si shkollë. Vetë zotni Kola dha mësim në këtë periudhë.
Në vitin 1918 shkolla rimbyllet, për t’u rihapur përsëri për periudhën 1927-1929. Gjatë kësaj periudhe mësimet u zhvilluan në Kishën e Iballës, sepse shkolla ishte prishur. Mësim ka dhënë Padër Mati Prendushi. Në qershor të vitit 1934 hapet rregullisht shkolla shtetërore. Në këtë vit u regjistruan 52 nxënës, 10 prej të cilëve ishin vajza. Nxënësit u përkisnin të dy besimeve fetare.
Në viti 1937 numri i nxënësve pati rritje. Shkolla kishte 82 nxënës, nga të cilët 16 ishin vajza. Mësim jepte shoku i ngushtë i Migjenit, Lin Çurçia.
Më 11 mars 1945 shkolla e Iballës filloi veprimtarinë mësimore edukative të rregullt. Ajo kishte 92 nxënës nga klasa e parë tek e treta. Një vit më parë numri i nxënësve shkoi në 115, nga këta 45 ishin vajza. Më 1 mars 1952 shkolla fillore e Iballës kthehet në 7-vjeçare, duke u bërë e dyta në këtë profil, mbas asaj të Pukës. Kjo shkollë ka dy dëshmorët e saj Lekë Berishën dhe Pjetër Dedë Alinë.
Shkolla mban dekoratat "Urdhëri Naim Frashëri", të klasit III dhe II, të akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitit 1967 dhe në vitin 1974, "Për kontributin e dhënë në edukimin patriotik e kulturor të nxënësve". Në vitin 1975 në Iballë hapet shkolla e mesme bujqësore me sistemin e mbrëmjes dhe me korrespondencë.
Më 1976 hapet edhe me sistemin e ditës.
Në vitin jubilar të 85-vjetorit të saj, shkolla ka pasur 750 nxënës dhe 35 mësues.Në vitin 1990 shkolla kaloi në arsim të mesëm të përgjithshëm. Në këtë vit shkolla ka pasur 720 nxënës në të gjitha ciklet. Aktualisht shkolla funksionon e mesme e bashkuar(mesme + 9 - vjeçare) ku vijone mesimet 52 nxene ne arsimin e mesem dhe 124 nxenes ne arsimin 9- vjeçare